Kur fëmijët tanë sëmuren

Nga: Zakeeya Ali

Para disa vitesh shkrova dy artikuj me titujt: “Çfarë përdor kur fëmijët e mi sëmuren” dhe “Gjërat që bëj kur fëmijët e mi sëmuren”. Elhamdulilah, këta kanë qenë artikujt e mi më të pëlqyer, të cilët lexohen nga qindra njerëz çdo muaj. Kjo më bëri të kuptoj se sa shumë prindër përballen me të njëjtat dilema.

Fëmija im është sëmurë, po tani?

Kur shkrova postimin tim të parë, kuptova se gjëja e parë që duhet të bëj kur ndonjë nga fëmijët sëmuret, është t’i drejtohem Allahut (xh.sh). Mësova të lexoj duatë nga tradita profetike dhe t’i kërkoj Atij shërim.

Mund të them me plot gojë se sa herë që i kam përfshirë këto dua në jetën time, rezultati ka qenë i mahnitshëm, elhamdulilah! Ose sëmundja zgjaste pak, ose ishte më pak intensive, ose dhimbja ishte e përballueshme.

Së fundmi, më u desh të bëja ndërhyrjen e parë në rrënjën e dhëmbit. Nëse dini diçka për dhimbjen e tmerrshme të dhëmbit, ajo është nga më të rëndat – të lë pa gjumë dhe është torturuese! Edhe pse kisha dhimbje, isha e tmerruar nga trajtimi që duhej të bëja.

Megjithatë, kur kujtova se shpëtimi im është mbështetja te Allahu, fillova ta pranoja atë që duhej të bëja. Fillova të këndoja duatë për sëmundjen dhe shërimin, dhe elhamdulilah, e gjithë ndërhyrja shkoi mirë dhe me dhimbje minimale. Pjesa më e mirë ishte ndjenja e paqes dhe qetësisë që ndjeva duke u mbështetur te Shërimi i Allahut, edhe gjatë asaj procedure të vështirë.

Bashkëshorti im mbeti i habitur se si u çlirova nga dhimbjet brenda pak ditësh, pasi kishte parë kolegë të tij që u duhej më shumë se një javë për t’u qetësuar. Ishte diçka e jashtëzakonshme dhe do të më besoni vetëm kur ta përjetoni vetë fuqinë e duasë (nëse nuk e keni provuar ende).

Dëshiroj të ndaj me ju duatë që lexoj kur fëmijët janë sëmurë, kanë dhimbje, ose për çdo problem shëndetësor që hasim ne si familje. Kjo është bërë pjesa kryesore e jetës sime dhe “ilaçi” i parë që marr në dorë!

Së pari… Në kohë vështirësish, duhet të ndjekim këshillën kuranore:

“Kërkoni ndihmë (nga Allahu) me durim e me namaz…”

Vështirësia që po përjetojmë është një thirrje dhe kujtesë nga Allahu për t’u kthyer tek Ai, për të qenë mirënjohës për bekimet tona dhe për të ripërqendruar zemrat tona te Dhuruesi i çdo gjëje. Lutjet tona duhet të bëhen me zemër dhe duke shfaqur nevojën tonë para Allahut (xh.sh).

Nuk është e thënë që duatë t’i bëni patjetër në arabisht; mund të përdorni çdo gjuhë në të cilën ndiheni rehat, pasi Allahu dëshiron që Ne t’i kërkojmë Atij.

Çfarë të thuhet kur ka sëmundje Aisha (r.a.) na ka treguar:

“Kur i Dërguari i Allahut ﷺ sëmurej, ai këndonte ‘Kul euudhu bi rabbil felek’ dhe ‘Kul euudhu bi rabbin-nas’ e mandej frynte mbi trupin e vet. E kur iu rëndua sëmundja e tij, unë ia këndoja ato dhe me dorën e tij e fërkoja trupin e tij për shkak të bereqetit të saj.” (Buhariu)

Gjithashtu tregohet se kur dikush sëmurej, Profeti ﷺ thoshte një nga këto katër dua për ta.

Duatë për shërim

Dua #1 Rekomandohet që kjo dua të lexohet ndërkohë që i sëmuri vendos dorën e djathtë mbi vendin ku ka dhimbje. Thuhet “Bismillah” tri herë dhe më pas e gjithë lutja përsëritet shtatë herë:

أَعُوذُ بِعِزَّةِ اللَّهِ وَقُرَتِهِ مِن شَرِّ مَا أَجِدُ وَأُحاذِرُ

(Kërkoj mbrojtje në fuqinë dhe pushtetin e Allahut nga e keqja e asaj që po ndjej dhe asaj që i frikësohem).

Nëse e them këtë për fëmijët e mi, unë përmend emrat e tyre, ose nëse jemi disa të sëmurë, në fund shtoj “…për veten, bashkëshortin dhe fëmijët e mi”. Gjithashtu e bëj edhe fëmijën tim ta përsërisë pas meje.

Dua #2 Rekomandohet të prekni zonën e dhimbjes me dorën e djathtë ndërsa lexoni këtë dua:

اللَّهُمَّ رَبَّ النَّاسِ مُذْهِبَ الْبَاسِ اشْفِ أَنْتَ الشَّافِي لَا شَافِيَ إِلَّا أَنْتَ شِفَاءً لَا يُغَادِرُ سَقَمًا

(O Allah! Zoti i njerëzimit! Largoje dhimbjen, shëroje sëmundjen. Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd. Na jep një shërim që nuk lë pas asnjë sëmundje).

Dua #3 Rekomandohet të përsëritet shtatë herë lutja e mëposhtme:

أَسْأَلُ اللَّهَ الْعَظِيمَ رَبَّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ أَنْ يَشْفِيَكَ

(I kërkoj Allahut të Madhërishëm, Zotit të Arshit të Madh, që të të shërojë).

Unë i lexoj këto dy dua mbi bashkëshortin ose fëmijët kur janë të sëmurë. I lexoj edhe për vete, duke e përshtatur drejtimin e lutjes (nga “të të shërojë” në “të më shërojë”).

Dua #4 Kjo është një dua gjithëpërfshirëse. Ajo kërkon mirësi jo vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Dijetarët e cilësojnë këtë lutje si të shkëlqyer për mirëqenien tonë të përgjithshme:

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

(Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruan prej dënimit të zjarrit!)

Dua #5 Ebu Darda (r.a.) tregon se e ka dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Nëse ndonjëri prej jush vuan nga diçka, ose vuan vëllai i tij, le të thotë: ‘Zoti ynë është Allahu që është në qiell, i Shenjtë është Emri Yt, urdhri Yt mbretëron në qiell e në tokë; ashtu siç është mëshira Jote në qiell, bëje mëshirën Tënde edhe në tokë; na i fal mëkatet dhe gabimet tona; Ti je Zoti i njerëzve të mirë; zbrit mëshirë prej mëshirës Tënde dhe shërim prej shërimit Tënd mbi këtë dhimbje që të shërohet’.” (Ebu Davudi)

Dua #6 Këtë dua e kam mësuar si një “lutje për shërim”. Kur lutemi për Profetin ﷺ dhe familjen e tij, edhe ne shpërblehemi me të njëjtën gjë:

(O Allah, bekoje dhe jepi paqe zotërisë tonë Muhamedit, udhëzuesit në rrugën e fesë. O Allah, bekoje dhe jepi paqe zotërisë tonë Muhamedit dhe përmes gradës së tij, largo nga unë çdo sëmundje, dhimbje dhe lëngatë [përmendet sëmundja specifike], si dhe familjen dhe shokët e tij).

Dua #7 Kjo është lutja e Profetit Ejub (a.s.) kur ishte i sëmurë prej shumë vitesh. Allahu e shëroi atë pas kësaj duaje, ndaj imagjinoni sa e fuqishme është ajo:

أَنِّي مَسَّنِيَ الضُّرُّ وَأَنْتَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِينَ

(Mua më ka goditur kafshimi i sëmundjes, e Ti je më i mëshirshmi i mëshiruesve!)

Dua #8 Këtë dua Profeti ﷺ e thoshte kur ndjente shqetësim, duke thirrur Allahun me Emrat e Tij të Madhërishëm:

يَا حَيُّ يَا قَيُّوْمُ بِرَحْمَتِكَ أَسْتَغِيْث (O i Gjallë, o i Amshuar, me mëshirën Tënde kërkoj ndihmë!)

Thirrja e Allahut me Emrat e Tij më të Mëdhenj Profeti ﷺ dëgjoi një burrë duke u lutur me emrat Al-Hajju (i Gjallë) dhe El-Kajjum (i Amshuar, Mbajtësi i gjithçkaje) dhe tha: “Ai iu lut Allahut me Emrin e Tij më të madh; kur dikush i lutet me këtë Emër, Ai përgjigjet, dhe kur i kërkohet me këtë Emër, Ai jep.”

Unë gjithashtu pëlqej ta thërras Allahun me emrin Ash-Shafee (Shëruesi) kur i kërkoj të na largojë sëmundjet dhe dhimbjet.

Dua #9 Këtë dua e lexoj në rast se sëmundja mund të vijë nga zilia (hasadi) ose syri i keq, veçanërisht nëse hapat mjekësorë nuk po japin përmirësim:

أُعِيْذُكَ بِكَلِمَاتِ اللّٰهِ التَّامَّةِ ، مِنْ كُلِّ شَيْطَانٍ وَّهَامَّةٍ ، وَمِنْ كُلِّ عَيْنٍ لَّامَّةٍ

(Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga çdo shejtan, nga çdo kafshë dëmtuese dhe nga çdo sy i keq që sjell dëm).

Gjithashtu, vendos të dëgjohet në shtëpi surja El-Bekare nëse sëmundja zgjat shumë. E bëj këtë rregullisht, bashkë me suren Jasin dhe Uakia. Profeti ﷺ ka përmendur: “Mjalta është ilaç për çdo sëmundje (trupore) dhe Kurani është ilaç për çdo sëmundje të mendjes (shpirtit), prandaj ju rekomandoj të dy ilaçet: Kuranin dhe mjaltin.”

Dhe për mbyllje… Kur bëni dua, ju i kërkoni Allahut (xh.sh) kujdesin e Tij dhe i luteni që të mos ju lërë në dorë të vetes suaj, sepse e dini që kur Ai është me ju, punët tuaja do të shkojnë mirë.

Si qenie njerëzore, ne mund të gjykojmë gabim, mund të udhëhiqemi nga dëshirat tona ose mund të na mungojë urtësia, prandaj i kërkojmë Atij që menaxhon vazhdimisht çështjet e botës që të mos na lërë vetëm.

Duhet të kujtojmë gjithmonë se kjo jetë është sprovë dhe vështirësi. Ne po sprovohemi sepse Allahu (xh.sh) e di që ne mund ta përballojmë atë. Ai synon të ngrejë gradat tona përmes këtyre sprovave dhe të pastrojë zemrat tona nga errësira e mëkatit. Duhet ta falënderojmë vazhdimisht Allahun (xh.sh) dhe ta shohim gjendjen tonë si tregues të përsosmërisë së Tij.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk e godet muslimanin asnjë lodhje, sëmundje, ankth, hidhërim, dëm apo trishtim, madje as edhe një gjemb që e shpon atë, pa ia fshirë Allahu gabimet e tij përmes kësaj.” (Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu, Profeti ﷺ ka thënë:

“Kur Allahu ia dëshiron të mirën dikujt, Ai e sprovon atë.” (Buhariu)

Librat që ju rekomandoj: Libri i Dhikrit (Kitab Al-Adhkar) nga Imam Jahja ibn Sharaf an-Neueui

Ky është një libër voluminoz dhe i detajuar, i cili përmban një përmbledhje të fjalëve të përmendjes dhe lavdërimit (dhikrit), si dhe lutje drejtuar Zotit të Gjithësisë, ashtu siç janë transmetuar nga i Dërguari i Tij i fundit, Profeti Muhamed ﷺ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *