Nga Zakeeya Ali
Vendosja e kufijve rreth mediave sociale ka qenë një nga vendimet më të palëkundura të prindërimit tim. Ndonëse ky qëndrim shpesh nuk mirëpritet apo keqkuptohet, për mua ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme. Unë nuk e mbështes përdorimin e këtyre platformave nga fëmijët e vegjël dhe, duke parë rezultatin te fëmijët e mi, jam e bindur për dobinë e këtij vendimi.
Gjatë fëmijërisë, fëmijët e mi nuk kishin telefona, tableta apo llogari online. Qëllimi ynë nuk ishte kontrolli, por mbrojtja. Fëmijëria është një etapë e brishtë, ku mendja dhe zemra janë si dyllë që merr formë nga çdo ndikim i jashtëm. Islami na ngarkon me përgjegjësinë për të ruajtur jo vetëm trupin, por edhe shpirtin e fëmijës.
Mediat sociale nuk janë mjedise neutrale. Ato i nxisin fëmijët drejt krahasimit me të tjerët ende pa formuar identitetin e tyre, u mësojnë të kërkojnë vlerësim përmes “pëlqimeve” dhe fshijnë kufirin mes asaj që është private dhe publike. Për një fëmijë, ky ekspozim është tejet destabilizues.
Kam vërejtur se fëmijët që ekspozohen herët në internet shfaqin më shumë ankth, mungesë përqendrimi dhe paqëndrueshmëri emocionale. Shpesh, këto simptoma keqdiagnostikohen si ADHD apo ADD, kur në fakt janë thjesht pasojë e mbistimulimit nga pajisjet teknologjike.
Alhamdulillah, fëmijët tanë u rritën larg kësaj zhurme dhe ndryshimi është i dukshëm. Sot, edhe si të rritur, ata ruajnë një lloj modestie dhe kujdesi ndaj mediave sociale. Ata nuk i kanë frikë, por e shohin botën virtuale si një mjedis shpesh toksik, duke mos ndjerë nevojën për të “ekspozuar” jetën e tyre apo për të kërkuar miratim nga të huajt.
Ky rezultat nuk erdhi rastësisht. Kur një fëmijë rritet i rrethuar nga marrëdhënie njerëzore reale, bota online e humbet shkëlqimin e saj të rremë. Kur ata e dinë se vlera e tyre vjen nga Allahu (SWT) dhe jo nga numri i ndjekësve, bëhen imunë ndaj kurtheve të krahasimit.
Feja jonë nuk na mëson t’i rrisim fëmijët që të bëhen objekt konsumi për publikun. Ne jemi të urdhëruar të edukojmë karakterin, të forcojmë ndjenjën e përgjegjësisë dhe të ruajmë turpin (haya). Dhënia e një telefoni në dorë një fëmije është si ta futësh atë në një botë të rriturish pa pasur mjetet e duhura për t’u mbrojtur.
Vonesa e hyrjes në botën online nuk do ta bëjë fëmijën të ndihet i privuar. Përkundrazi, kjo e mbron atë nga fitnet (sprovat) që mendja e tij e vogël nuk mund t’i procesojë. Ne si prindër nuk duhet të ndjekim trendet apo presionin shoqëror. Atë që ata humbasin online, e fitojnë në paqe shpirtërore, përqendrim dhe siguri emocionale.
Në një epokë që përfiton nga shpërqendrimi i njerëzve, dhurata më e madhe që mund t’i bëni fëmijës është t’i mësoni të jetë i lumtur jashtë rrjetit. Dhe shenja më e qartë e suksesit është kur ata rriten dhe e kuptojnë vlerën e mbrojtjes që kanë pasur.
Nëse e keni lejuar fëmijën tuaj të hyjë herët në këtë botë, mos e humbni shpresën; mund ta rregulloni. Fillimi do të jetë i vështirë, me nervozizëm dhe mërzitje, por vetëm pak ditë “detoks” do të mjaftojnë për të parë një ndryshim rrënjësor në sjelljen e tyre. Inshallah, nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur.
Allahu na mundësoftë të rrisim fëmijë të mbrojtur e të vetëdijshëm, amin.
