Nga: Zakeeya Ali
Pothuajse çdo javë dikush më pyet: “Si ia del me shkollimin në shtëpi (homeschooling)?” Dhe, të them të drejtën, nuk është edhe aq keq. Mendoj se arsyeja pse nuk më duket tmerrësisht e vështirë është sepse kam mësuar si ta bëj të funksionojë për ne dhe si të mos e bëj “çështje të madhe”.
Kam fituar gjithashtu një pasqyrë më të qartë se si mësojnë fëmijët e mi; kam kuptuar se të mësosh nuk do të thotë të bësh “shkollë”, por është vërtet një pjesë e përditshme dhe e përjetshme e jetës. Gjithashtu, jam bërë një mësuese eklektike (një përzierje e kësaj dhe asaj) dhe nuk përdor një sistem “një model për të gjithë”. Më lejoni të ndaj me ju 10 këshillat e mia kryesore se si e praktikoj shkollimin në shtëpi pa humbur fillin.
1. Shkollimi eklektik
Fillimisht u përpoqa të përdorja një kurrikulë specifike për fëmijët e mi, siç është metoda klasike. Mos më keqkuptoni, është një kurrikulë solide, por nuk ishte e përshtatshme për të gjithë fëmijët e mi. Realizova se ndjekja e një sistemi që unë e gjykoja si të mirë, por që fëmijët nuk e pranonin dot, po më shkaktonte shumë stres. Pra, çfarë bëra?
Vendosa të përcaktoj pikat e forta dhe të dobëta të secilit prej tyre dhe më pas të gjeja burimet më të mira për t’u mësuar atë që u duhej. Për shembull, djali im nuk është i mirë në drejtshkrim; kështu që në vend që të përdorja të njëjtin libër drejtshkrimi që ka përdorur për 2 vite, vendosa të printoj fjalët më të zakonshme të anglishtes dhe t’i bëj një test drejtshkrimi disa herë në javë. Në ditët kur isha e zënë, e bëja t’i kopjonte fjalët që t’i fiksonte më mirë.
2. Mësimdhënia sipas stileve të të nxënit
Kjo lidhet me hapin e parë, sepse kur pashë që fëmijët nuk mund të përdornin të gjithë të njëjtën kurrikulë, fillova të hulumtoj më thellë pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre. Ndjeva se duhej t’i lejoja të mësonin në mënyrën që u përshtatej më mirë.
Për shembull, vajza ime i ka qejf librat, kështu që i kap konceptet shumë shpejt duke lexuar. Jo të gjithë fëmijët e mi pëlqejnë të njëjtat gjëra, por të gjithë mund të mësojnë të njëjtat gjëra nëse ua prezantoj në një mënyrë që i tërheq. Tani kam një fëmijë në akademi online, dy fëmijë që përdorin fletore pune plot ngjyra, dy fëmijë që mësojnë sipas metodës klasike dhe një që mëson përmes metodave vizuale dhe dëgjimore.
Mund të duket rrëmujë, por në fakt më kursen shumë lodhje, sepse i pyetëm fëmijët për mendimin e tyre dhe ata zgjodhën vetë se si dëshironin të mësonin. Kjo i bëri të ankohen më pak dhe të punojnë më shpejt.
3. Mësimi në kohë të ndryshme
Nuk mund t’u jap mësim të gjithëve në të njëjtën kohë; këtë e bëj vetëm në fundjavë ose kur kemi një ditë të qetë, pa angazhime apo ndërprerje. Shumicën e ditëve, unë punoj me ta në kohë të ndryshme, në mënyrë që të fokusohem te nevojat e secilit dhe të mos irritohem nga pyetjet e njëkohshme të të gjithëve.
Për shembull, në mëngjes, kur fëmijët e rritur janë në mësimin e Kuranit, unë punoj me tre të vegjlit. Kjo nuk zgjat shumë, pasi ata janë ende në nivel fillor. Pasdite herët, vajza e madhe kthehet nga mësimet e saj të fesë (alima) dhe punon online. Nëse ka nevojë për ndihmë, jam aty ndërkohë që merrem me punët e shtëpisë.
Nga fundi i pasdites, dy djemtë kthehen nga mësimi i Kuranit dhe bëjnë detyrat e tyre. Kam vënë re se kur i ndaj fëmijët sipas niveleve dhe e shpërndaj punën përgjatë ditës, jam shumë më e aftë të përballoj shkollimin e gjashtë fëmijëve.
4. Gërshetimi i burimeve
Nuk e kufizoj mësimin e tyre vetëm te librat apo fletoret e punës. Mundem ta bëj mësimin “pasionant”! Si? Thjesht! Përdor fletore pune për lëndë si shkrimi, burime online për matematikën, si dhe aplikacione, video edukative apo lojëra për historinë dhe shkencën.
Përdor materiale të printueshme për lëndët që ata nuk i kanë qejf, që t’i bëj më tërheqëse. Gjithashtu, i lejoj të shprehen më lirshëm në librat e tyre, në mënyrë që të mos u duket mësimi i mërzitshëm apo “shkollor”. I lejoj të bëjnë shkarravitje anash faqeve, të vizatojnë në fund të detyrës, të përdorin stilolapsa me ngjyra apo të dekorojnë kopertinat si të duan.
5. Shkollimi me perspektivë islame
Më pëlqen të përdor literaturë islame; kjo arrijnë dy gjëra në të njëjtën kohë. Për shembull, për lëndën e bukurshkrimit, i bëj të ushtrohen me ajete të Kuranit dhe Hadithe. Gjithashtu, preferoj që gjatë kohës së leximit të lexojnë libra islamë dhe historinë ta mësojnë përmes shpikjeve të botës islame.
Ndjeva se ata filluan ta duan punën e tyre shumë më tepër dhe u bë e këndshme të mësonin për historitë e burrave dhe grave të mëdha të Islamit. Gjithashtu ndjej se Allahu (xh.sh) na hap më shumë dyer kur i orientojmë fëmijët drejt rrugës së Tij. Kjo ishte në fakt ideja e shkëlqyer e bashkëshortit tim, ndaj merita i takon atij! 🙂
Siç thuhet edhe në Kuran:
“E, kush i frikësohet Allahut, Ai i bën rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Allahu e realizon dëshirën e Vet. Allahu çdo gjëje ia ka caktuar masën.”
6. Shkollimi në një ambient të organizuar
Kjo është pika ime e preferuar! Nuk mund të punoj në rrëmujë. Ndihem e mbingarkuar. Nuk pres që fëmijët të rrinë në bankë me këmbët drejt, por sigurohem që t’i kenë kryer punët e tyre të shtëpisë dhe që hapësira e punës të jetë e pastër.
Fëmijët e mi punojnë kryesisht në dysheme sepse u jep më shumë liri. Përveçse është Sunet, e bën mësimin më komod dhe më pak “zyrtar”. Ka disa lëndë që bëhen më mirë në tavolinë, por kjo varet nga vlerësimi i momentit.
Gjithashtu, kam krijuar një dosje për secilin fëmijë me një orar javor brenda. Kjo siguron që të mos më pyesin vazhdimisht: “Çfarë duhet të bëj tani?”. Kam krijuar një tabelë me kolona për lëndën, burimin dhe ditët e javës. Kur fëmijët përfundojnë punën, ata ngjyrosin një yll në tabelë. Këto tabela i mbajnë fëmijët në rrugën e duhur, ndërsa për mua janë shpëtim, sepse me qindra gjëra që kam në mendje, ndonjëherë mezi mbaj mend datën.
7. Edukimi i fëmijëve drejt pavarësisë
Sapo fëmijët e mi mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë mirë, unë e kufizoj procesin e pyetjeve të vazhdueshme dhe ankesat e tipit “si ta bëj këtë?”. Ne e kemi mbushur shtëpinë me burime që janë lehtësisht të aksesueshme për ta, në mënyrë që të mos më shqetësojnë për çdo gjë të vogël. Ata mund të shfrytëzojnë bibliotekën tonë, kompjuterin, tabletin apo edhe t’i dërgojnë mesazh babait ose gjyshit të tyre nëse kanë nevojë për ndihmë.
Të gjitha mjetet tona janë të sigurta për fëmijët. Për shembull, djali im më pyeste vazhdimisht se si shkruheshin fjalët, kështu që i thashë të instalonte një aplikacion fjalori në tablet; tani, kur i duhet një fjalë, thjesht e kërkon atë vetë.
Më parë provuam fjalorin e zakonshëm, por si mund ta kërkosh një fjalë nëse nuk di si shkruhet që në fillim? Kjo u bë e lodhshme dhe frustruese për djalin, dhe unë përpiqem t’i minimizoj këto ndjesi në ambientin tonë mësimor. Prandaj, jam dakord me përdorimin e teknologjisë nëse ajo na ndihmon të eliminojmë këto pengesa. Kur ai përdor aplikacionin, shkruan aq shkronja sa mban mend dhe i shfaqet menjëherë lista e fjalëve. Kjo i merr më pak se një minutë, krahasuar me pesë minutat që do t’i duheshin me një libër fjalori. Mund të mos jetë ideale për këdo, por nëse mund të arrish të njëjtin rezultat në një mënyrë më të zgjuar, unë jam pro saj, Elhamdulilah!
8. Shkollimi në shtëpi, por me hapësirë për të dalë
Vura re se kur fëmijët mbushnin 10 vjeç, qëndrimi me mua gjatë gjithë kohës po më konsumonte, edhe nëse dilnim për aktivitete jashtëshkollore. Mos më keqkuptoni, unë dua të jem me fëmijët e mi, por kam vënë re se sa më shumë rriten, prindërimi bëhet më i vështirë. Asgjë nuk është më e thjeshtë me fëmijët e asaj moshe (jam e sigurt që shumë prindër e kuptojnë periudhën e para-adoleshencës).
Fëmijët e rritur vënë vazhdimisht në dyshim autoritetin tim, kanë një përgjigje për çdo gjë që u kërkoj të bëjnë dhe ndonjëherë mund të bëhen vërtet sfidues. E ndava këtë dilemë me bashkëshortin, i cili mendonte njësoj: fëmijët tanë kishin nevojë për më shumë klasa jashtë shtëpisë, që të sfidoheshin dhe të shpenzonin energji. Elhamdulilah, djemtë e rritur filluan një program për hifz (mësimin përmendsh të Kuranit), ndërsa vajza e madhe filloi klasat e “alimës” dhe tani janë më të lumtur. Ata rrinë me fëmijë të tjerë, kanë mësues të tjerë, ndërsa unë?
Unë marr frymë lirisht nga debatet dhe kërkesat e vazhdueshme për durim që më duhen kur ata janë rreth meje. Gjithashtu, mund të përqendrohem më shumë te të vegjlit në mëngjes, dhe ky është një nga faktorët kryesorë që më ndihmon të përballoj shkollimin e të gjashtëve.
9. Shkollimi me një prekje personale
Secili prej fëmijëve ka çantën e vet të shkollës dhe mjetet e veta, të cilat i mbajnë vetëm në çantat e tyre. Kutitë e lapsave janë të mbushura me gjithçka që u nevojitet. Edhe unë kam çantën tim dhe një këllëf lapsash të bukur për të mbajtur mjetet e mia të mësuesisë në një vend. Stilolapsat dhe mjetet që më duhen për kontrollin e detyrave i kam gjithmonë pranë (e pranoj, kam një dobësi për mjetet shkollore, por mos të hyjmë aty… 😉 ).
Kjo metodë na ka ndihmuar të eliminojmë vrapimet e panevojshme për të gjetur një laps apo për ta mprehur atë, gjë që thjesht harxhon kohën e mësimit. Gjithashtu, u jep fëmijëve ndjenjën e individualitetit, gjë që është shumë e çmuar në një familje të madhe.
10. Shkollimi pa qëndruar shumë në kuzhinë
Tre fëmijët e mi të rritur ndjekin klasat e tyre gjatë ditëve të javës, kështu që çdo mëngjes unë përgatis sandviçë për të gjithë familjen, edhe për ata që qëndrojnë në shtëpi. Pra, dreka është gati që herët; të vegjlit mund t’i marrin sandviçët dhe ushqimet e tyre nga frigoriferi dhe të hanë deri në kohën e darkës.
Gjithashtu, mishin e nxjerr nga ngrirja që një natë më parë, mendoj se çfarë do të gatuaj dhe e vendos në tenxheren elektrike (slow cooker) në mëngjes, ndërkohë që përgatis drekën e të gjithëve. E lë të gatuhet për disa orë dhe vakti është gati për përgatitjet e fundit pak para darkës. Kjo ka qenë një metodë me më pak rrëmujë dhe më pak stres që funksionon shkëlqyeshëm për mua, Elhamdulilah. Në ditët e ngrohta, i bind të vegjlit të bëjnë një piknik jashtë, kështu që nuk kam as nevojë të pastroj kuzhinën – një fitore e dyfishtë!
