Udhëzuesi pa ndjenjë faji për nënat myslimane në marrëdhënie pune: Si të rritni fëmijë të shkëlqyer

Screenshot

nga: Khafayah Abdulsalam

Nëse jeni një nënë në marrëdhënie pune si unë, mund t’ju ketë ndodhur që njerëzit të kenë ngritur vetullat kur ju kanë parë ose t’ju kanë qortuar shpesh pse i lini fëmijët në kopsht apo çerdhe për të dalë në punë. Shoqëria herë pas here i stigmatizon gratë që punojnë sepse ua delegojnë rolin e tyre të tjerëve, nga shqetësimi se kjo do të ketë efekte negative në shëndetin dhe edukimin e fëmijëve tanë. Unë besoj fort, dhe është vërtetuar, se mund të jesh një nënë që punon dhe të rritësh gjithashtu fëmijë produktivë e të formuar mirë.

Kur kthehemi pas në kohë, shohim se Nëna jonë Hadixhja (r.a.) ishte një nënë, grua dhe sipërmarrëse e shkëlqyer – ajo rriti fëmijë të cilëve u ishte premtuar Xheneti! Ne nuk mund ta kalojmë këtë; unë marr frymëzim prej saj dhe grave të tjera të mëdha të së kaluarës, si nënat e Musait (a.s.), Imam Buhariut dhe Imam Malikut, për të përmendur disa.

Studimet e fundit tregojnë se nënat që punojnë po rritin fëmijë të lumtur e produktivë, të cilët kanë rezultuar të jenë inteligjentë, të sigurt, të dashur, besimplotë dhe që japin një kontribut pozitiv në rritjen e shoqërisë.

Fokusi i këtij artikulli nuk është t’i japë përparësi idesë së të qenit nënë që punon, por të tregojë mënyrat se si mund të rritim fëmijë të zgjuar dhe të ekuilibruar mes kërkesave të karrierës dhe menaxhimit të prioriteteve të tjera në jetën tonë.

Të gjitha nënat duhet të bëjnë zgjedhje se si t’i rritin fëmijët, varësisht nga vizioni dhe qëllimet për familjen. Gjithashtu, mbani mend se të gjithë kemi rrethana të ndryshme. Disa gra zgjedhin të punojnë, disa zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi dhe disa janë të detyruara të punojnë sepse janë vetushqyese, të braktisura ose nëna pa asnjë burim tjetër mbështetjeje financiare. Ju e dini situatën tuaj më mirë se kushdo tjetër dhe jeni gjykatësi më i mirë i asaj që është e mirë dhe e shëndetshme për mirëqenien tuaj dhe të familjes suaj. Ajo që funksionon për ju, funksionon për ju!

Siç e dimë tashmë, prindërimi është puna më sfiduese, por edhe më shpërblyese në planet. Ju jeni “në detyrë” 24/7, 365 ditë në vit. Pra, si ta balancojmë menaxhimin e një karriere dhe të një familjeje pa u ndjerë të rraskapitura e të dërrmuara?

Padyshim, si nëna që punojmë, na duhet të bëjmë sakrifica të mëdha dhe të reduktojmë disa nga aktivitetet tona të kohës së lirë – gjë që në vetvete është një akt vetëmohimi. Mund të humbasim ndonjë mbledhje me prindër për shkak të një takimi në punë. Është krejtësisht në rregull t’u shprehemi fëmijëve tanë dhe t’u bëjmë të ditur se nuk jemi “super-mami” gjatë gjithë kohës.

Këtu janë disa gjëra që mund të fillojmë të bëjmë për të rritur fëmijë të shkëlqyer pa ndjerë “fajin e mamasë” që ndjejnë të gjitha nënat, por ato që punojnë edhe më shumë:

1. Forconi marrëdhënien tuaj me Allahun

Një pikë nisjeje është të kuptoni obligimin tuaj parësor, që është adhurimi i Allahut. Besimi ynë na informon se qëllimi ynë kryesor është adhurimi i Tij: “Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.” [Kuran 51:56]. Është jetike të keni një lidhje të fortë shpirtërore me Krijuesin tuaj, sepse më besoni, do t’ju duhet ndihma e Allahut në çdo hap të rrugës.

2. Kuptoni rolin dhe përgjegjësitë tuaja

Allahu na paralajmëron: “O ju që besuat, ruani veten dhe familjet tuaja prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” [Kuran 66:6]. Profeti (s.a.v.s.) gjithashtu na thotë se secili prej nesh është “bari” dhe përgjegjës për tufën e tij; gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe fëmijët e saj. Një nënë vizionare e di se ajo është shkolla e parë e fëmijës së saj dhe ka përgjegjësinë e edukimit të imanit (besimit), formimit të karakterit dhe sjelljes duke mbjellë vlera islame tek ata.

3. Allahu është vetëm një dua larg

“Lutja (duaja) është bërthama e adhurimit.” [Tirmidhiu]. Të dish që Zoti im është vetëm një dua larg më jep siguri se Ai do të jetë aty për mua, sidomos në ato momente kur gjërat bëhen shumë të vështira. Mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë e duasë.

4. Fuqia e prioritetit

Planifikoni ditën tuaj rreth namazit dhe jo namazin rreth ditës suaj. Pas Allahut dhe Profetit, prioriteti im i radhës janë fëmijët e mi. Fëmijët e mi e dinë se pa marrë parasysh sa e zënë jam, unë i dua ata. Unë kam një marrëveshje me fëmijët: nuk sjell punë me vete në shtëpi. Sapo dal nga dera e punës, vendos “hixhabin e mamasë”! Kjo më ndihmon të përgatitem mentalisht për t’u kthyer te fëmijët me buzëqeshje.

5. Jini prezente (të pranishme)

Kur jeni aty, jini vërtet aty! Kur fëmija juaj ju flet, jepini vëmendje të plotë. Lini mënjanë e-mailet, punët e shtëpisë dhe telefonin. Nëse qëndroni në telefon ndërkohë që fëmija ju flet, ju po i thoni atij se celulari është më i rëndësishëm se ai.

6. Koha “Mami dhe unë”

Meqenëse koha është e kufizuar, unë u kushtoj fëmijëve të mi të paktën 10 minuta çdo mbrëmje ose mëngjes vetëm për vetëm (one-on-one). Gjatë kësaj kohe, teknologjia fiket dhe ne bisedojmë për çdo gjë. Këto janë momentet më të vyera.

7. Organizoni dhe vendosni rutinën tuaj

Është e rëndësishme të keni një rutinë për mëngjesin, mbrëmjen, detyrat e shtëpisë dhe Kuranin. Një nënë që punon duhet të jetë shumë e organizuar që të mos digjet (burnout) dhe të mos bëjë veten dhe fëmijët të mjerë.

8. Dita fillon natën e mparshme

Përgatitja e çantave të shkollës, drekave dhe hekurosja e rrobave që natën e mparshme bën mrekulli. Kjo e bën mëngjesin të rrjedhë më qetë dhe pa stres.

9. Zgjohuni herët

Zgjohuni një orë para pjesës tjetër të familjes dhe takohuni me Allahun (falni Tehexhudin ose bëni dua). Orët e hershme të mëngjesit janë të bekuara. Përdoreni këtë kohë për të rimbushur energjitë tuaja përpara se të fillojë sfida e ditës.

10. Jini fleksibël me punën tuaj

Kërkoni organizata që promovojnë balancën punë-jetë. Unë punoj si konsulente, gjë që më lejon të rregulloj orët e mia sipas nevojave të familjes, si për shembull dërgimi i fëmijëve në shkollë.

11. Planifikoni vaktet

Gatimi merr shumë kohë. Planifikimi i vakteve për dy javë rresht dhe gatimi në sasi të mëdha gjatë fundjavës për t’i ngrirë, ndihmon që gjatë javës darka të jetë gati në pak minuta.

12. Ora e drekës – ora e fuqisë

Përdorni kohën e drekës për t’i telefonuar fëmijët, për të qeshur me ta dhe për t’u interesuar se si po u shkon dita në shkollë. Kjo i bën ata të ndjehen të rëndësishëm.

13. Dalje të rregullta familjare

Nuk duhet të jetë diçka e shtrenjtë: një shëtitje në park, në muze, ose vizitë në xhami. Këto momente forcojnë lidhjet familjare.

14. Mjeshtëria e delegimit

Shtëpia menaxhohet me punë në ekip. Fëmijët e mi kanë detyrat e tyre për të lehtësuar ngarkesën. Kjo i bën ata të pavarur dhe të përgjegjshëm. Ndonjëherë përdorni shërbime ndihmëse për punët e shtëpisë nëse keni mundësi, që të lironi kohë për familjen.

15. Përdorni teknologjinë

Përdorni aplikacione për bankën, blerjet ushqimore online dhe kalendarët e përbashkët. Punoni më me zgjuarsi, jo më fort.

16. Ndërtoni një rrjet mbështetës nënash

Lidhuni me nëna të tjera që kanë të njëjtat mendime. Mbështetja sociale është jetike për shëndetin tonë mendor.

17. Hiqni dorë nga perfeksionizmi

Si myslimane, duhet t’i bëjmë gjërat me ihsan (përsosmëri në qëllim), jo me perfeksionizëm obsesiv. Është në rregull nëse shtëpia është pak rrëmujë ndonjëherë. Trupi juaj ka të drejtë mbi ju për të pushuar. Për shembull, ne të premteve nuk gatuan, por porosisim ushqim jashtë (take-out).

18. Festoni sukseset!

Falënderoni Allahun për çdo sukses, sado i vogël qoftë. Të jesh një nënë që punon është sfiduese, por edhe përmbushëse. Ju jeni një model për fëmijët tuaj, duke u treguar se si të kontribuoni në shoqëri ndërkohë që kujdeseni për familjen.

InshaAllah, shpresoj që këto strategji t’ju vijnë në ndihmë. Këshilla më e mirë që më ka dhënë nëna ime është një thënie afrikane: “Kurrë mos i cakto detyrat e tua ditore sipas orës së dikujt tjetër”.

burimi:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *