
1. Pyetje: Nëse të thuhet ty: Kush është Zoti yt?
Përgjigje: Thuaj: Zoti im është Allahu.
2. Pyetje: Çdo të thotë Zot?
Përgjigje: Thuaj: Zot do të thotë se Ai është Sunduesi, i Adhuruari, Ndihmuesi, Allahu, i Vetmi që duhet të adhurohet me dashuri dhe përnderim nga të gjitha krijesat e Tij dhe i Vetmi të Cilit duhet t‟i nënshtrohen ato.
3. Pyetje: Nëse të thuhet ty: Si e njeh Zotin tënd? Përgjigje: Thuaj: Zotin tim e njoh përmes shenjave dhe krijesave të Tij. Prej shenjave të Tij janë: nata, dita, dielli dhe hëna. Ndërsa, prej krijesave të Tij janë: shtatë qiejt, toka dhe çdo gjë që është mes tyre. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit dhe qëndroi mbi Fronin hyjnor (Arshin). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” Surja El A‟raf, ajeti 54.
4. Pyetje: Nëse të thuhet: Për çfarë qëllimi të krijoi Allahu? Përgjigje: Thuaj: Allahu më krijoi që ta adhuroj vetëm Atë, pa i shoqëruar asgjë, t‟i bindem Atij përmes zbatimit të urdhrave të Tij dhe largimit nga gjërat që Ai i ndaloi, ashtu siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, përveç që të më adhurojnë vetëm Mua.” Surja Edh-Dharijjat, 56. Gjithashtu Fjala e të Madhërishmit: “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri.” Surja El Maideh, ajeti 72. Shirk është kur dikush i shoqëron Allahut ndokënd apo diçka, duke i bërë adhurim ndokujt apo diçkaje tjetër përveç Allahut, apo duke shpresuar në ta, apo duke u frikuar prej tyre, apo duke u mbështetur në ta, apo duke iu përkushtuar atyre në vend të Allahut, apo duke bërë veprime të tjera për të prej llojeve të adhurimit. Adhurimi është çdo gjë që e do Allahu dhe është i kënaqur me të, prej fjalëve dhe veprave, qofshin ato të dukshme apo të brendshme (fshehta). Lutja është adhurim. Allahu i Lartësuar thotë: “Xhamitë janë vetëm për Allahun, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!” Surja El Xhinn, ajeti 18. Argumenti që tregon se lutja drejtuar dikujt tjetër veç Allahut është kufër (mosbesim), është Fjala e Allahut: “Dhe kushdo që lut në vend të Allahut ndonjë të adhuruar tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të jap llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.” Surja El Mu‟minun, ajeti 117. Kjo për arsye se lutja është prej llojeve më të mëdha të adhurimit, ashtu siç thotë Allahu Fuqimadh: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!” Surja El Gafir, ajeti 60. Transmetohet në Sunen se Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lutja është pikërisht adhurimi.” Tirmidhiu (5/426), Ebu Daudi (1479) dhe Ibën Maxheh (3828). Gjëja e parë të cilën Allahu ua bëri obligim robërve të Tij, është mohimi i tagutit dhe besimi në Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni tagutin” Surja EnNahl, ajeti 36. Tagut është çdo gjë që adhurohet përveç Allahut, si: shejtani, falltari, astrologu, ai i cili nuk gjykon me Ligjin e Allahun dhe çdokush që pasohet dhe që gëzon bindje prej njerëzve. Dijetari i madh Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë:“Tagut është çdokush ndaj të cilit tejkalohen kufijtë, qoftë në pasim, adhurim apo bindje.”
