Allahu është Ai i Vetmi që meriton të adhurohet dhe askush nuk bën të adhurohet bashkërisht me Të. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” (El Bekare, 21-22) Ai i Cili na krijoi dhe i krijoi gjeneratat para nesh, që e bëri tokën shtresë dhe na zbriti prej së larti ujë dhe bëri që nëpërmjet tij të rriten frutat si ushqim për ne. Ai është vërtet i Vetmi meritor për t’u adhuruar. Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i Cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?” (Fatir, 3) Ai që krijon dhe furnizon (të tjerët) është i Vetmi që meriton të adhurohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!” (El Enam, 102)
Çdokush që adhurohet krahas Allahut, nuk e meriton adhurimin. Kjo, se ai nuk ka pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej, qoftë në Tokë e as është ortak me Allahun; as ndihmës e as përkrahës i Tij në asgjë. E si vallë të lutet bashkë me Allahun ose të bëhet ortak me Të?! Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej, qoftë në Tokë; për ta nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre.” (Sebe, 22)
Allahu i Lartmadhërishëm është Ai që i krijoi këto krijesa dhe i solli në ekzistencë prej hiçit, rrjedhimisht ekzistimi i tyre tregon për ekzistimin e Allahut, zotërimin dhe adhurimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët. Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë. Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë. Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që logjikojnë. Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur), Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka i përulet Atij. Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Të kjo është edhe më e lehtë.” (Er Rum, 20-27)
Nemrudi e mohoi ekzistimin e Zotit të tij, e Ibrahimi (alejhi selam), ashtu siç ka lajmëruar Allahu, i tha: “Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi!” Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (El Bekare, 258) Gjithashtu Ibrahimi (alejhi selam) u argumentua kundër popullit të tij, me faktin se Allahu e udhëzoi, e ushqeu, i dha për të pirë, e, kur sëmurej, Ai ishte që e shëronte dhe i Cili do ta vdesë e do ta ringjallë, siç ka lajmëruar Allahu: “I Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë.” (Esh Shuara, 78-81) Allahu ka lajmëruar se Musai (alejhi selam) diskutoi me Faraonin duke i thënë: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar.” (Taha, 50)
Allahu ia ka bërë të mundur njeriut të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe e ka mbuluar me dhuntitë e Tij, që ta adhurojë Allahun e të mos e mohojë. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej e në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.” (Lukman, 20) Sikundërqë Allahu ia ka bërë të mundur njeriut të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, e krijoi atë dhe e përgatiti me çdo gjë që ai ka nevojë: me të dëgjuar, të parë e zemër, që të nxërë dije që i bën dobi dhe e drejton nga Kujdestari e Krijuesi i tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (En Nahl, 78)
Allahu e ka krijuar gjithë këtë gjithësi dhe e ka krijuar njeriun. Ai e ka përgatitur njeriun me gjithçka që ka nevojë: gjymtyrë, fuqi, si dhe i ndihmoi me çdo gjë që i nevojitet për ta adhuruar Allahun dhe për të jetuar në këtë Tokë dhe ia ka bërë të mundur të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu me krijimin që ua bëri këtyre krijesave madhështore u argumentua për të qenët e Tij Zot, që domosdoshmërisht Atij duhet t’i kushtohet adhurimi. Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parët? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” (Junus, 31) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën!” (El Ahkaf, 4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ai i ka krijuar qiejt pa shtylla të dukshme, ka vënë male të palëvizshme në Tokë, që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne e zbresim ujin nga qielli dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj i mirë (bime). Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? Asgjë, por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë.” (Lukman, 10-11) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë, ata janë krijuar prej hiçit apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” (Et Tur, 35-37) Shejh Abdurrahman Es Sidi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Ky është një arsyetim, para të cilit atyre nuk u mbetet veçse t’i nënshtrohen së vërtetës dhe ta pranojnë atë, ose, në të kundërtën, do t’u duhet të kundërshtojnë logjikën (e shëndoshë) dhe fenë (e drejtë).”
