“Mësimi i Emrave të Allahut

Mësimi i Emrave të Allahut

nga Raiiq Ridwan

Po të më pyeste dikush për nënën time, do të mund t’u tregoja shumë gjëra për të. Mund të flisja për atë që asaj i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen. Mund të tregoja se çfarë e gëzon dhe çfarë e zemëron. Mund të flisja për cilësitë e saj të mira dhe për ato në të cilat ka nevojë të përmirësohet. Me pak fjalë, do të mund ta përshkruaja pothuajse në çdo detaj.

Dhe pse është kështu? Sepse e dua. Dhe pjesë e dashurisë ndaj saj është ta njoh mirë. Pjesë e përpjekjes për të qenë një djalë i mirë është përpjekja për ta njohur mirë, në mënyrë që të bëj atë që e kënaq dhe të largohem nga ajo që e mërzit.

Por, nëse dikush do të më pyeste se kë dua më shumë, nuk do të përgjigjesha “Nënën time.” Do të përgjigjesha, si shumica prej jush që po e lexoni këtë shkrim: “E dua më së shumti Allahun.” Në fakt, qëllimi i jetës sonë si myslimanë është përcaktuar qartë në Kur’an. Allahu thotë:

“Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për tjetër vetëm që të më adhurojnë.”
(Kur’ani, 51:56 – përkthim nga Sherif Ahmeti)

Dijetari i njohur Ibn Tejmije ka thënë në lidhje me kuptimin e “adhurimit” se ai është çdo vepër që është e pëlqyer nga Allahu. Fjala për një objekt adhurimi në gjuhën arabe është ilah. Ilah rrjedh nga fjala waliha, që nënkupton diçka për të cilën jemi aq të dashuruar, saqë e adhurojmë. Dhe prandaj kur hyjmë në Islam, themi: La ilahe il-la Allah – nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut.

Pjesë e adhurimit është ta duash Allahun. Dhe për ta dashur Allahun, duhet ta njohim Atë. Në fakt, dashuria ndaj Allahut është ajo që i jep jetë zemrave tona. Shejkh Salih el-Munexhid ka thënë për dashurinë ndaj Allahut:

“Dashuria për Allahun është vetë jeta, dhe të jesh i privuar prej saj do të thotë të përjetosh një vdekje të tmerrshme; ajo është dritë pa të cilën njeriu do të lundronte në detin e errësirës; është shërimi pa të cilin zemra do të përmbytet nga shumë sëmundje; është gëzimi pa të cilin njeriu mbetet në trishtim të përhershëm; është thelbi i besimit dhe veprave, pa të cilin ato bëhen si një trup pa shpirt.”

Dhe në shpalljen e Tij për ne, Allahu na ka përmendur shumë nga Emrat e Tij. Ai i përmend Emrat e Tij si një mënyrë që ne ta njohim Atë. Emrat e Tij na zbulojnë se kush është Ai në të vërtetë. Prandaj, njohja e Emrave të Tij dhe përvetësimi i tyre ka një shpërblim të madh. Ai që me të vërtetë e njeh Allahun, do ta dojë pa dyshim. Dhe ai që e do Atë, do ta adhurojë sinqerisht. Dhe ai që e adhuron sinqerisht, do të hyjë në vendbanimin përfundimtar – Xhenetin. Allahu na bëftë prej tyre!

Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë:

“Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra – kush i mëson dhe i ruan do të hyjë në Xhenet.”
(Sahih Muslim)

Për çdo gjendje që përjetojmë në jetë, ekziston një Emër i Allahut që i përshtatet. Po e përfundoj me disa shembuj:

  • Nëse je i shqetësuar se po dështon në namazet e tua, dije se Allahu është el-Gaffar – Falësi i përhershëm.
  • Nëse ndien se veprat e tua për Të nuk janë të mjaftueshme, dije se Ai është esh-Shekur – Jashtëzakonisht Mirënjohësi.
  • Nëse ndien se e ke gabuar ndaj Allahut, dije se Ai është et-Tewwab – Pranuesi i pendimit.
  • Nëse ndien se jeta po të ngushtohet, dije se Ai është el-Fettah – Ai që hap dyer dhe rrugë të reja.
  • Nëse sheh errësirë përreth, dije se Ai është en-Nur – Drita e qiejve dhe e Tokës, dhe Ai është el-Hadi – Udhëzuesi.

Zoti që të solli deri këtu, nuk do të të lërë në shkatërrim tani. Ai është el-Alim – I Gjithëdijshmi, dhe el-Khabir – Më i Informuari. Ai e njeh dhimbjen tënde, i sheh lotët e tu, dhe i kupton sprovat e tua edhe kur askush tjetër nuk i kupton.

Dije se Allahu është miku më i mirë që mund të kesh. Ai është el-Weli – Miku Mbrojtës, dhe er-Ra’uf – Jashtëzakonisht i Buti. Ai është el-Wedud – Tej mase Dashamirës. Ai të do. Dhe është duke pritur të dëgjojë prej teje.

Ngri duart drejt qiellit, duke ditur se el-Muxhib – Ai që përgjigjet – është gati të të përgjigjet. Dije se es-Semi’ – Dëgjuesi – është aty për të dëgjuar. Dhe derdhe çdo ndjenjë tek Ai.

Dhe gjatë kohëve të mira, mos harro se është Ai që është el-Kerim – Më Bujari, dhe gjithçka që kemi në jetë është dhuratë nga el-Wehhâb – Dhuruesi më i madh. Të gjitha gjërat e bukura që kemi në jetë, të gjithë njerëzit dhe çdo e mirë që na vjen, janë nga er-Rrahman – Mëshirëploti, dhe er-Rrahim – Mëshiruesi i posaçëm.

Mësimi i Emrave të Allahut do ta revolucionarizojë jetën tonë, namazin dhe adhurimin tonë. Bëje pjesë të misionit tënd që t’i mësosh, t’i kuptosh dhe t’i përvetësosh ata. Nuk ka nevojë t’i mësosh të gjithë, por është thelbësore të përvetësosh me zemër ata që i mëson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *