Fëmijët. Një çast të bëjnë të buzëqeshësh, dhe çastin tjetër? Të bëjnë të duash të tërheqësh flokët nga nervat.
Dikur më duhej të kaloja katër orë në ditë, pesë ditë në javë, me 20 fëmijë. Nuk po them që është njësoj si të jesh gjithë ditën me fëmijët e tu, por të kuptoj shumë mirë dhe e di sa lehtë mund të të ikë durimi.
Megjithatë, dua të të them se nuk ke pse të humbasësh kontrollin çdo herë. Ka disa strategji që mund të përdorësh, në mënyrë që të mos përfundosh gjithmonë duke bërtitur apo qortuar fëmijët e tu.
Dua ta them që në fillim: nuk i di të gjitha sekretet për t’u marrë me fëmijët. Edhe pas viteve që kam mësuar fëmijë të vegjël, nuk e kam kuptuar plotësisht këtë punë. Por, kam parë përmirësime të mëdha që kur kam nisur të zbatoj këto strategji dhe këshilla me fëmijët e mi.
“Të gjithë fëmijët dëgjonin, e dinin çfarë pritej prej tyre, asnjëri nuk sillej më keq” – kështu mund të thotë ndonjë mësues tjetër. Unë? Ende kam vështirësi ndonjëherë. Por kjo është në rregull. Të gjithë jemi në proces mësimi.
Atëherë, cilat janë këto strategji?
#1 – Shmang profecinë vetëpërmbushëse
Nuk e di për ty, por kam vënë re se shumë prej nesh jemi tepër të shpejtë për t’i ngjitur etiketa negative fëmijëve që janë pak më të vështirë për t’u menaxhuar.
“S’ka kuptim të përpiqesh. Ai NUK dëgjon kurrë.”
Nëse kjo të përket ty, sinqerisht të këshilloj ta ndalosh këtë mënyrë të të menduarit. Çdo fëmijë ka potencialin për t’u sjellë mirë. Ata sillen keq vetëm kur gjenden në kushte dhe situata të caktuara.
Për më tepër, fëmija yt ka veshë. Ai dëgjon, dhe nëse vazhdon të thuash se nuk do të sillet kurrë si duhet, ai do ta besojë këtë.
Nëse ti vazhdon të mendosh se fëmija yt është thjesht “i keq”, atëherë e ke humbur betejën që në fillim.
#2 – Jep pritshmëri të qarta
Dëshiron që fëmija yt të mos kërcejë mbi divan? Thuaji para se ta bëjë.
Shpeshherë fëmijët bëjnë diçka të gabuar, sepse nuk e dinë që është e gabuar. Detyra jonë është të parashikojmë sjelljet e mundshme dhe t’ua sqarojmë fëmijëve që më parë çfarë presim prej tyre.
Për shembull:
Je duke shkuar në bibliotekë me fëmijët.
Çfarë sjelljesh të pahijshme mund të ndodhin?
- Vrapimi nëpër bibliotekë
- Të flasurit me zë të lartë
- Hedhja e librave gjithandej
Si t’u japim udhëzime të qarta?
“Më vonë do të shkojmë në bibliotekë. Aty nuk mund të vrapojmë, ndaj duhet të ecim. Nuk duhet të flasim me zë të lartë sepse shqetësojmë të tjerët, ndaj do të flasim me zë të ulët. Dhe pas leximit, do t’i vendosim librat përsëri në vendin e tyre, dakord?”
#3 – Kujtoji, kujtoji, kujtoji
Duke qëndruar te shembulli i mëparshëm, mund të vazhdosh t’ia kujtosh fëmijës rregullat rrugës për në bibliotekë me pyetje:
“A mund të bërtasim në bibliotekë?”
“Jo.”
“Po nëse je larg meje dhe do të më thërrasësh?”
“Atëherë mund të vish tek unë në vend që të bërtasësh.”
E kupton idenë. Kujtoja shpesh, sepse fëmijët janë fëmijë. Ata shpërqendrohen dhe mund të harrojnë.
#4 – Bëja më të lehtë për t’u sjellë mirë
Si? Në dy mënyra:
1. Largo tundimet.
Nuk do që fëmija të hajë ëmbëlsira? Fshihi ato sapo të thuash “jo” dhe ofro një aktivitet tjetër për ta shpërqendruar, si p.sh. një lojë diku tjetër.
2. Jep arsye.
Fëmijët e dinë si të pyesin “pse”, dhe të thuash “sepse e thashë unë” nuk është gjithmonë mënyra më e mirë. Nëse ua shpjegon arsyen, ka më shumë gjasa që të bashkëpunojnë.
Nëse nuk ke një arsye të fortë, përpiqu të mos thuash “jo” kot.
#5 – Ndihmoji të kuptojnë pasojat natyrore
Pasojat natyrore nuk janë njësoj si ndëshkimet. Ato janë rezultatet që ndodhin vetvetiu kur një fëmijë bën diçka që nuk duhet, pa qenë nevoja që t’i planifikosh.
P.sh.: Fëmija nuk do të ndajë lodrat me shoqen. Pasojë natyrore? Shoqja nuk do të luajë më me të.
Pasojat natyrore nuk ndodhin gjithmonë menjëherë, dhe ndonjëherë mund të jenë të rrezikshme. Prandaj nuk është gjithmonë e mençur t’i lejojmë të ndodhin. Por ne mund t’i ndihmojmë fëmijët të mendojnë përpara. Bëje këtë duke folur me ta për pasojat e mundshme para se të veprojnë gabim.
Ji i qëndrueshëm
Përpiqu të jesh i qëndrueshëm në zbatimin e këtyre strategjive. Qëndrueshmëria ndihmon fëmijën të krijojë strukturë, dhe struktura është një nga mënyrat më efektive për të menaxhuar sjelljen e një fëmije.
Me gjithë këto që u thanë, mos harro: fëmijët janë fëmijë. Ata do të bëjnë gabime, do të sillen keq ndonjëherë. Atëherë, çfarë bëjmë? Këtë do ta lë për postimin tim të radhës, inshallah.
