TUFEJL IBNU AMR ED-DEVSIJ

“O Zoti im, bëji atij një shenjë që do t’a ndihmojë në

bamirësi!”

Nga lutja e Pejgamberit alejhi salatu ue selam për të.

Tufejl ibnu Amr Ed-Devsij, ishte prijës i fisit Devs në

kohën e injorancës (në periudhën paraislame), njëri prej

njerëzve më me autoritet të parisë arabe dhe prej njerëzve

më të ndershëm, të rrallë, të asaj kohe.

Tek ai asnjëherë nuk hiqej vorbulla nga zjarri, dhe as nuk

mbyllej dera e shtëpisë para mysafirëve.

Ushqente të uriturit, siguronte të frikësuarit dhe strehonte

ata që kërkonin strehim.

Përveç kësaj, ai ishte mendjehollë, i zgjuar, poet i ndjeshëm

dhe orator.

* * *

Një ditë prej ditësh, Tufejli u largua nga vendbanimi i

popullit të tij në “Tuhame” dhe u nis për në Meke. Në atë

kohë rrëmuja e luftës ndërmjet Pejgamberit alejhi salatu ue selam dhe pabesimtarëve

kurejshit kishte arritur kulmin. Secila palë dëshironte

të përfitonte në anën e vet sa më shumë miq dhe aleatë.

Ndërsa Pejgamberi alejhi salatu ue selam i lutej Krijuesit të vet, e arma e tij e

vetme ishte besimi i vërtetë.

Pabesimtarët kurejshit i ishin kundërvënë thirrjes së tij,

e luftonin me çdo mjet dhe në çdo mënyrë i largonin njerëzit

nga feja.

Tufejli u gjet në këtë luftë i papërgatitur dhe do të hyjë

në të pa ndonjë qëllim të caktuar.

Ai nuk kishte ardhur në Meke për këtë qëllim, e as që i

kishte shkuar ndërmend ndonjëherë për konfliktin e mëparshëm

ndërmjet Muhammedit dhe kurejshitëve.

Rreth këtij konflikti, Tufejli përjetoi një ndodhi që

konsiderohet prej tregimeve më të çuditshme. Ta dëgjojmë

pra.

Tufejli tregon e thotë:

Arrita në Meke. Posa më panë, paria e Mekës u nisën nga

unë. Më pritën shumë mirë dhe më nderuan me një mikpritje

që nuk mbahet në mend.

Pastaj u tubuan rreth meje më të zgjedhurit e kurejshitëve

dhe më thanë:

– O Tufejl! Ti erdhe në vendin tonë. Ky njeri, i cili

pretendon se është Pejgamber, na ka përçarë dhe na ka

prishur. Ne kemi frikë se mos do të ndodhë me ty dhe me

popullin tënd ajo që na ka ndodhur neve. Kujdes, e mos fol

me atë njeri! As mos dëgjo prej tij asgjë, sepse ai ka disa

fjalë, të cilat i ngjajnë magjisë: e ndan fëmijën prej prindit,

vëllanë prej vëllait e gruan prej burrit.

* * *

Tufejli pastaj vazhdon e thotë:

– Betohem në Allahun se, derisa më tregonin lajme të

çuditshme për të dhe duke më frikësuar mua dhe popullin

tim për veprat e tij të çuditshme, vendosa që të mos i

afrohem atij, të mos i flas e as të mos dëgjoj prej tij asnjë

fjalë.

Në mëngjes herët u zgjova dhe shkova për të bërë tavaf

rreth Qabes, që të kërkoj ndihmë nga idhujt e vndosur në të,

ku bënim haxhin dhe i adhuronim ata. Para se të nisesha, i

mbylla të dy veshët me pambuk, nga frika se mos do të

depërtojnë tek unë fjalët e Muhammedit.

Mirëpo, posa hyra në Qabe, e pashë Muhammedin duke u

falur, e falur që ndryshonte nga të falurit tonë, edhe

adhurimi i tij ndryshonte nga adhurimi ynë. Pamja e tij më

magjepsi dhe mënyra e adhurimit të tij më mahniti. E pashë

veten duke iu afruar atij padashje dhe për një çast e gjeta

veten pranë tij. Deshi Allahu të arrijë te veshët e mi ajo që

thoshte ai. Dëgjova fjalë tejet të bukura dhe thashë me

vete:

“Medet për ty, o Tufejl!”

Ti je njeri i mençur dhe poet. Je në gjendje të dallosh të

mirën prej të keqes. Ç’të pengon ty të dëgjosh prej këtij

njeriu se ç’thotë?

Nëse ajo që thotë është e mirë, e pranon, e nëse është e

keqe, e lë.

Tufejli pastaj vazhdon rrëfimin e tij:

Qëndrova aty derisa u largua Pejgamberi alejhi salatu ue selam dhe u nis

për në shtëpinë e vet. U nisa menjëherë pas tij dhe, ndërsa

ai hyri në shtëpinë e tij dhe deshi ta mbyllë derën, e arrita

dhe i kërkova leje të hyj me të. Menjëherë ia fillova bisedës

dhe i thashë:

– O Muhammed! Populli yt më ka thënë për ty kështu e

ashtu. Betohem në Allahun se më frikësuan prej teje deri në

atë shkallë saqë i mbylla të dy veshët me pambuk me qëllim

që të mos dëgjoj prej teje asgjë. Mirëpo, deshi Zoti e

dëgjova diçka dhe e hetova se është e bukur.

Më trego për çështjen tënde. Pejgamberi alejhi salatu ue selam i tregoi në

detaje dhe ia lexoi atij kaptinën “El-Ihlas” dhe “El-Felek”.

Tufejli pastaj thotë:

– Betohem në Zotin se asnjëherë nuk kam dëgjuar fjalë

më të bukura se fjalët e tij dhe as që kam parë njeri me

parime dhe mësime më të drejta.

Në atë moment ia dhashë dorën dhe dëshmova se “nuk

ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhammedi është i

Dërguari i Tij”, dhe kështu hyra në fenë islame.

Tufejli pataj vazhdon rrëfimin e tij:

– Pas kësaj qëndrova një kohë në Meke për t’i mësuar

bazat e fesë islame dhe mësova përmendsh disa pjesë të

Kur’anit. Kur vendosa të kthehem te populli im, Pejgamberit

alejhi salatu ue selam i thashë:

– O i Dërguari i Allahut! Fjala ime ka peshë në fisin tim.

Unë do të kthehem te populli im dhe do t’i ftoj ata në fenë

islame. Lute Zotin të më japë një shenjë, që do të më ndihmojë

në thirrjen time. Atëherë Pejgamberi alejhi salatu ue selam tha: “O Zoti

im, jepi këtij një shenjë!”

U nisa për te populli im dhe kur arrita në një vend të

lartë, prej ku dukeshin shtëpitë e tyre, në mes të syve të mi

u paraqit një dritë, një si kandil, e thashë:

– O Zoti im, bëje atë jashtë fytyrës sime, sepse kam frikë

se ata do të mendojnë se ky është dënim për mua, për shkak

të braktisjes së fesë së tyre.

Posa hyra në shtëpinë time, hyri babai im i shtyrë në

moshë dhe i thashë:

– Largohu prej meje, o babai im! Ti nuk je imi e as unë

nuk jam yti!

Babai i habitur ma ktheu:

– Përse, o biri im?!

Iu përgjigja:

– Unë jam bërë musliman dhe kam kaluar në fenë e

Muhammedit alejhi salatu ue selam

Babai ma ktheu:

– Në rregull, biri im. Feja jote është edhe feja ime!

Atëherë i thashë:

– Shko lahu dhe pastroi rrobat, e pastaj eja tek unë që ta

mësoj atë që kam mësuar unë.

Babai shkoi e u la, i pastroi rrobat e veta dhe pastaj

erdhi. Ia paraqita fenë islame dhe e pranoi.

Pas tij erdhi gruaja ime, së cilës i thashë:

– Largohu prej meje, sepse nuk jam yti e as ti nuk je

imja!

Gruaja e habitur ma ktheu:

– Përse?! Të betohem në babanë dhe nënën time?!

Iu përgjigja:

– Na ka ndarë feja islame. Unë kam pranuar Islamin, fenë

e Muhammedit.

Atëherë ajo tha: Feja jote është edhe feja ime.

I thashë: – Shko, pastrohu me ujin e “Dhish-Shera”! E

“Dhish -Shera” ishte një idhull i posaçëm për fisin “Devs”,

rreth të cilit zbriste ujë nga kodra.”

Gruaja e habitur ma ktheu:

– Të betohem në babanë dhe nënën time, a mos po u

ndodh fëmijëve ndonjë e keqe nga “Dhush-Shera”?

Ia ktheva me hidhërim:

– Medet për ty dhe për “Dhush-Sheran”?! Të thashë shko

dhe pastrohu atje, larg prej syve të njerëzve, e unë të

garantoj ty se ai gur i shurdhër nuk është në gjendje të të

bëjë asgjë.

Shkoi dhe u pastrua. Pastaj u kthye. Ia paraqita fenë

islame dhe e pranoi.

Pastaj e thirra fisin tim “Devs”, por ata ngurruan t’i

përgjigjen thirrjes sime, përveç Ebu Hurejres, i cili ishte më i

shpejti në pranimin e fesë islame.

* * *

Tufejli pastaj vazhdon e thotë:

Shkova te Pejgamberi alejhi salatu ue selam në Meke bashkë me Ebu

Hurejren. Posa më pa, Pejgamberi alejhi salatu ue selam u gëzua për ardhjen

time dhe më pyeti:

– Çka ka, o Tufejl?!

Iu përgjigja:

– Zemra të ngurta dhe mosbesim i madh. Në fisin tim

“Devsin” ka triumfuar e keqja dhe amoraliteti.

Pejgamberi alejhi salatu ue selam u çua, mori abdes, u fal dhe i ngriti duart

lart kah qielli. Ebu Hurejre tregon:

“Kur e pashë ashtu, më hyri frika se mos po e mallkon

popullin tim e do të shkatërrohet dhe thashë: ”Medet për

popullin tim!”

Mirëpo, Pejgamberi alejhi salatu ue selam filloi t’i lutet Allahut me këto

fjalë:

– O Zoti im, udhëzoje Devsin!!! O Zoti im, udhëzoje

Devsin!!! O zoti im, udhëzoje Devsin!!!

Pastaj u kthye kah Tufejli dhe tha:

– Kthehu te populli yt, sillu butë me ta dhe thirri ata në

fenë islame!

* * *

Tufejli pastaj vazhdon e tregon:

– Derisa unë isha në mesin e fisit Devs duke i thërritur

ata në fenë islame, Pejgamberi alejhi salatu ue selam u shpërngul në Medinë.

Ndërkohë ndodhi lufta e Bedrit, e Uhudit dhe e Hendekut.

Një ditë prej ditësh shkova te Pejgamberi alejhi salatu ue selam dhe me mua

ishin tetëdhjetë shtëpi të fisit Devs, të cilët kishin pranuar

fenë islame. Kjo e gëzoi pa masë Pejgamberin alejhi salatu ue selam dhe na

dhuroi një pjesë nga preja e luftës së Hajberit, kurse ne i

thamë:

– O i Dërguari i Allahut, na cakto neve krahun tënd të

djathtë në çdo luftë dhe le të jetë shenja jonë “mebrur”.

Tufejli pastaj vazhdon rrëfimin e tij:

– Vazhdimisht isha me Pejgamberin alejhi salatu ue selam, deri në çlirimin

e Mekës dhe një ditë prej ditësh i thashë:

– O i Dërguari i Allahut më dërgo te “Dhul-keffejni”,

idhull i Amër ibnu Hamemes, që ta djeg atë… Pejgamberi

alejhi salatu ue selam më lejoi dhe shkova tek idhulli në krye të një çete të

popullit tim.

Posa arrita tek idhulli dhe desha t’ia vë zjarrin, rreth tij

u tubuan gratë, burrat dhe fëmijët, e vëzhgonin dhe pritnin

se do të gjuajë rrufeja, nëse i bëja çfarëdo dëmi

“Dhul-keffejnit”.

Mirëpo, në prezencën e adhuruesve të tij u drejtova kah

idhulli dhe nisa të fusë zjarr në brendinë e tij, duke recituar;

“O ‘Dhul-keffejn’, nuk jam prej adhuruesve të tu.

Lindja jonë është më e vjetër se lindja jote.

Unë e ndeza zjarrin në brendinë tënde”.

Me shkatërrimin e idhullit “Dhul-keffejn” u shkatërrua

çdo gjë që kishte mbetur nga mosbesimi në fisin Devs dhe i

tërë populli pranoi fenë islame.

Pas kësaj ngjarje, Tufejl ibnu Amr Ed-Devsij mbeti me

Pejgamberin alejhi salatu ue selam derisa i Dërguari i Allahut ndërroi jetë.

Pas vdekjes së Pejgamberit alejhi salatu ue selam dhe me kalimin e

hilafetit në duart e Ebu Bekr Es-Sidikut, Tufejli me gjithë të

birin ishte në shërbim të halifes së Pejgamberit alejhi salatu ue selam

Posa filluan luftërat kundër renegatëve të fesë islame,

Tufejli u mobilizua së bashku me të birin e tij, Amrin, në krye

të ushtrisë së muslimanëve në luftë kundër Musejleme

el-Kedh-dhabit.

Gjatë rrugës së tij për në Jemame pa një ëndërr, të cilën

ua tregoi shokëve të vet dhe u tha:

– Unë kam parë një ëndërr. Cili prej jush mund të ma

shpjegojë domethënien e saj?

Shokët e pyetën:

– Çfarë ke parë?

Tufejli u përgjigj:

– Pashë se i kisha qethur flokët, një zog doli prej gojës

sime, një grua më futi në barkun e saj dhe se djali im Amri

filloi të më kërkojë me të shpejtë, mirëpo diçka e pengoi që

të më bashkangjitet.

Shokët i thanë:

– Dhashtë Zoti e të jetë mirë.

Tufejli iu ktheu atyre:

– Pasha Allahun, sa më përket mua, unë e kam shpjeguar

atë.

Sa i përket qethjes së flokëve të mi, kjo do të thotë se

mua do të më prehet koka.

Ndërsa shpendi që doli prej gojës sime, ai është shpirti

im.

Kurse gruaja, e cila më futi në barkun e saj, simbolizon

tokën në brendinë e së cilës do të varrosem.

Por, edhe dëshira ime e kahershme është që të vdes

shehid.

Ndërsa kërkesa e birit tim dhe nxitimi i tij pas meje do

të thotë se edhe ai do të kërkojë të bjerë shehid sikurse unë,

me lejen e Zotit xh.sh., mirëpo, ai do ta arrijë këtë më vonë.

Në luftën e Jemames, sahabi i ndershëm, Tufejl ibnu Amr

Ed- Devsij, tregoi trimëri të rrallë, derisa ra shehid në fushën

e betejës. Ndërsa i biri i tij, Amri, vazhdoi të luftojë derisa e

lodhën plagët dhe iu pre dora e djathtë. Pas mbarimit të

betejës, u kthye në Medinë duke lënë në mejdanin e luftës

babanë dhe dorën e vet.

Në kohën e sundimit të Omer ibnul Hattabit, Amr ibnu

Tufejli shkoi një herë në vizitë tek ai dhe ndërkohë Omerit ia

sollën ushqimin dhe të gjithë njerëzit që ndodheshin aty u

ulën në sofrën e Omerit, përveç Amrit, i cili u largua. Kur

Omeri vërejti mosprezencën e tij, pyeti:

– Çfarë ke, o Amr?! Ndoshta ti nuk deshe të ulesh për

shkak se turpërohesh prej dorës sate.

Amri u përgjigj:

– Po. O halife (sundues) i besimtarëve…

Omeri, atëherë ia ktheu:

– Betohem në Allahun se nuk do ta kërkoj këtë ushqim

derisa mos ta përziesh me dorën tënde të prerë. Betohem në

Allahun se nuk është asnjëri në mesin tonë që një pjesë e tij

e ka në xhenet, përveç teje, – duke aluduar në dorën e tij.

* * *

Ëndrra e rënies shehid i dilte parasysh vazhdimisht, që

nga koha kur ishte ndarë prej babait. Kur u zhvillua lufta e

Jermukut, Amri nxitoi të marrë pjesë në të, bashkë me të

tjerët, dhe në betejë e sipër, në kulmin që kishte arritur

lufta, ai ra shehid, gjë që edhe e kishte paralajmëruar babai i

tij disa vjet më parë.

Allahu xh.sh. e mëshiroftë Tufejl ibnu Amrin. Ai ishte

shehid dhe baba i shehidit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *