Nëse të thuhet ty: Cila është feja jote?

Thuaj: Feja ime është Islami. Islami është dorëzimi ndaj Allahut përmes teuhidit (besimit), nënshtrimi ndaj Tij përmes bindjes, miqësimi i myslimanëve dhe largimi nga shirku e idhujtarët. Allahu thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” Surja Al „Imran, ajeti 19. Dhe thotë:“Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” Surja Al „Imran, ajeti 85.

Është saktësuar nga Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut (dëshmia: La ilahe il-lAll-llah) dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut (dëshmia: Muhammedun resulull-llah), të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin nëse ke mundësi.” Kuptimi i thënies La ilahe il-lAll-llah është: Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut, siç thotë Allahu i Lartësuar: “(Kujto) kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të tij: “Në të vërtetë, Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju. Përveç Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë”. Ai e bëri këtë fjalë (La ilahe il-lAll-llah) të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata të kthehen (vazhdimisht tek Allahu).” Surja Ez- Zuhruf, ajetet 26-28.

Argumenti për faljen e namazit dhe dhënien e zekatit, është Fjala e të Madhërishmit: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” Surja El Bejjineh, ajeti 5. Këtë varg, Allahu e filloi me teuhid dhe largim nga shirku. Urdhri më madhështor i Allahut është urdhri për teuhid, ndërsa ndalimi më i rreptë i Tij është ndalimi nga shirku. Pastaj, (në vazhdim të vargut) Allahu urdhëroi për faljen e namazit dhe për dhënien e zekatit. Në këto që u përmendën, hyn pjesa më e madhe e fesë, ndërkaq çdo legjislacion tjetër që vijon, i pason këto

Argumenti që tregon se agjërimi është obligim, është Fjala e Allahut: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” Surja El Bekareh: ajetet 183-185.

Argumenti që tregon se shkuarja për në haxhillëk është e obligueshme, është Fjala e Allahut: “Dhe Haxhi (udhëtimi për të vizituar Qabenë) është një detyrë që njerëzit i detyrohen Allahut për ta kryer, ata të cilët munden të përballojnë shpenzimet (udhëtimin, ushqimin, strehimin e nevojat e tjera).” Surja Al „Imran, ajeti 97.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *