Hadithi i xhibrilit

Umeri (radiAllahu anhu), tregon:

“Përderisa ishim te i Dërguari alejhi salatu ue selam një ditë, na u paraqit një njeri me rroba shumë të bardha, me flokë shumë të zinj. Nuk shihej tek ai asnjë shenjë e udhëtarit dhe nuk e njihte asnjë prej nesh.

(Eci) deri sa u ul te Profeti alejhi salatu ue selam. I drejtoi gjunjët pranë gjunjëve të tij, i vendosi duart mbi kofshët e tij dhe tha: “O Muhammed, më trego për Islamin!”

Profeti alejhi salatu ue selam tha:

“Islami është: të dëshmosh se s’ka të adhuruar të drejtë veç All-llahut dhe se Muhamedi është i dërguari i All-llahut, ta kryesh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe, nëse ke mundësi, ta bësh haxhin në Shtëpinë (e Shenjtë).”

Pyetësi tha: “Të vërtetën e the.” – Ndërsa ne u çuditëm: po e pyet dhe po ia vërteton! Pastaj tha: “Tani më trego për Imanin!”

Profeti alejhi salatu ue selam tha: “Imani është: të besosh në All-llahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Kaderin (paracaktimin) e së mirës dhe së keqes.”

Pyetësi tha: “Të vërtetën e the!” Pastaj tha: “Po më trego për Ihsanin!”

Profeti alejhi salatu ue selam tha: “Ihsani është ta adhurosh All-llahun sikur je duke e parë. Nëse ti nuk je duke e parë, (dije se) Ai të sheh ty. ”

Pyetësi tha: “Tani më trego për Orën (e Fundit)!”

Profeti alejhi salatu ue selam tha: “I pyeturi për Orën nuk di më shumë se pyetësi!”

Ai tha: “Atëherë më trego për shenjat e saj!”

Profeti tha: “Kur robëresha ta lindë të zonjën e vet, e kur t’i shohësh këta të zbathur, të paveshur, të varfër e barinj dhensh, duke u shtyrë për ndërtesa më të larta.”

Pastaj u largua. Pasi kaloi një kohë, Profeti alejhi salatu ue selam më tha: “O Umer, a e di se kush ishte ky pyetësi?”

I  thashë: “All-llahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri!”

Profeti alejhi salatu ue selam tha: “Ky ishte Xhibrili! Erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.”

Muslimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *